Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka udhëtuar drejt New York (SHBA), ku në datat 24 – 25 tetor 2024, do të marrë pjesë në disa takime në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, “të enjten, 24 tetor 2024, ministri Hasani do të marrë pjesë në Debatin e Hapur të Këshillit të Sigurimit mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku do të mbajë fjalën në emër të Shqipërisë.”

Po atë ditë, ministri Hasani do të takohet me bashkëkombësit që janë pjesë e OKB-së.

Të premten (25 tetor), kryediplomati shqiptar do të drejtojë takimin Përgjegjshmëria dhe Fuqizimi: “Mbështetja e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Lidhur me Konfliktin”, bashkëorganizuar nga Shqipëria dhe OSBE.

Në përfundim të vizitës dyditore në SHBA, ministri Hasani do të vizitojë shkollën e gjuhës shqipe “Alba life, Ambasador i Kombit”, e cila ushtron aktivitetin e saj prej 17 vjetësh në New York./ata