SHBA sinjalizoi se lëvizjet e ministrit të Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian mund të kufizohen nëse ai vjen në New York për të marrë pjesë në takimet e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në një konferencë për media, zëdhënësi i departamentit amerikan i Shtetit, Matthew Miller, i pyetur nëse do të kufizojë apo jo SHBA vizën e ministrit të Jashtëm iranian, tha se "nëse ai merr pjesë në takimin e Kombeve të Bashkuara, nuk pres ta shoh atë në shumë vende të tjera jashtë OKB-së".

Miller theksoi se SHBA mund të vendos kufizime serioze ndaj lëvizjeve të diplomatëve të caktuar, duke shtuar se "mund të prisni të shikoni kufizime serioze në lëvizjet e tyre".

Ndaj pyetjes lidhur me shqetësimet e SHBA-së për bashkëpunimin e Iranit me Korenë e Veriut për armët bërthamore dhe raketat balistike, Miller tha: "Sigurisht që kjo është një çështje për të cilën kemi jashtëzakonisht shqetësim".

- Abdollahian nesër do të jetë në New York

Misioni i Iranit në OKB konfirmoi se ministri i Jashtëm Abdollahian do të jetë nesër në New York për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me sulmet e Izraelit në Gaza.

Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë 2 gjeneralë.

Irani njoftoi se sulmi i Izraelit ndaj konsullatës nënkuptonte sulm në territorin e vendit të tij dhe se ata do të hakmerreshin. Ndërsa Izraeli tha se do t'i përgjigjej sulmeve të Iranit.

Më 13 prill Irani nisi një sulm ndaj Izraelit me qindra mjete ajrore pa pilot kamikazë, raketa balistike dhe lundruese.

Irani njoftoi se disa objektiva ushtarakë u goditën, ndërsa Izraeli deklaroi se shumica e sulmeve u parandaluan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por një raketë goditi një bazë ushtarake në jug.

Mediat izraelite pretendojnë se qeveria e Tel Avivit ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet në "mënyrë të hapur dhe efektive" ndaj sulmit ajror të Iranit./aa