Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ajo e Britanisë së Madhe dhe BE në Tiranë kanë dënuar sulmet e kreut te Partise se Lirise, Ilir Meta, ndaj SPAK si dhe ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së nënvizon se do të qëndrojë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë krah shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë, theksohet ndër të tjera në reagimin e ambasadës së SHBA.
‘Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë.’- shkruan në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA.
Pas ambasadës së SHBA, në një reagim ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sulmi i Metës u dënua edhe nga BE në Tiranë në një reagim në rrjete sociale ku shkruan se intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, hodhi poshtë akuzat e Ilir Metës se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Në një reagim për Report TV, Dumani thotë se nuk ka pasur asnjë takim të mëparshëm me McGonigal, dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediat shqiptare. Por sërish Ilir Meta s’i ndali sulmet ndaj Dumanit, duke hedhur akuza se është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani./ BalkanWeb