Seminari i 42-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, që organizohet në gusht nga Universiteti i Prishtinës, vjen sivjet bashkë me 50-vjetorin e themelimit të vetë UP.

Universiteti i Prishtinës u themelua në të njëjtin vit, 1974, por pati raste ndërprerjeje, për shkak të gjendjes politike në Kosovë.

Përveç tetë ligjëratave, që do të paraqiten nga albanologë të huaj dhe studiues vendës, janë parashikuar edhe 67 kumtime e paraqitje shkencore nga gjuhëtarë, historianë të letërsisë, të kulturës e të qytetërimit.

Midis ligjëruesve, tetë janë akademikë, anëtarë të jashtëm apo anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: Francesco Altimari, Leonardo di Savoia, Jose M. Floristan, Rexhep Ismajli, Mehmet Kraja, Kujtim Shala, Victor Friedman, Shaban Sinani.

Punonjës të instituteve kërkimore-shkencore të rrjetit të Akademisë së Shkencave që marrin pjesë me kumtesa (sipas rendit në program) janë: Enklejda Kapia, Ledi Shamku-Shkreli, Merita Sauku-Bruçi, Mimoza Shqefni, Edmond Cane, Klara Kodra, Vilma Proko.

Shaban Sinani është ftuar të mbajë, më 22 gusht 2024, ligjëratën “Një vështrim krahasues letërsisë sociale në Ballkan në periudhën midis dy luftërave”.

Në këtë ligjëratë do të shërbehen argumente të sistemuara për ekzistencën e një rrjedhe të përbashkët panballkanike në zhvillimin e letërsisë në vitet 1920-1930, pavarësisht se në studime ajo është njohur e vazhdon të njihet me emërtime të ndryshme (“avant-garde”, “lost generation”, “futurizëm i majtë” / “levnij futurizam”; “late futurism” / “futurizëm i vonë”; “jugofuturizëm”, “zenitizëm”, “konstruktivizëm/konsi”, “krepuskularizëm”, “literature of decadence”)./ata