Në edicionin e 20-të “Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit” që po mbahet në 17-18 prill në Prishtinë, bashkia e Elbasanit po prezanton vlerat e qytetit, nga pasuritë natyrore te ato kulturore si dhe historike.

Në këtë panair marrin pjesë dhe bashki dhe komuna të tjera nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria etj.

Elbasani është një mozaik multikulturor, me turizëm të qëndrueshëm që zgjat gjithë vitit. Historia, trashëgimia kulturore dhe bukuritë natyrore janë asetet kryesore të qytetit të Elbasanit në zhvillimin e turizmit të Shqipërisë.

Busheku, Labinoti Fushë, Krasta e Madhe, Llixha, Funari e Gjinari, fshehin perla për vizitorët, që të shoqëruara me histori dhe legjenda shumë shekullore, janë origjinale në specifikat e tyre. Janë këto edhe shumë arsye të tjera që Elbasani është një nga qytetet më të preferuar për turistët e huaj.

Sipas bashkisë së Elbasanit, më shumë se 10 000 vizitorë kanë vizituar stendën e këtij qyteti vetëm ditën e parë të panairit.

Vizitorët mund të eksplorojnë peizazhe mahnitëse dhe pika të shumta kulturore dhe turistike që e bëjnë Elbasanin të veçantë.

Në panair vizitorët po njihen me një laramani kulturash dhe përvojash, duke pasuruar më tej eksplorimin e tyre./ata