Nga data 1 janar 2025, pulla fiskale si letër me vlerë dhe monopol shtetëror do të prodhohet dhe shpërndahet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Elementët e sigurisë dhe çmimi i pullës fiskale përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t’i paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

Ministria e Financave ka publikuar sot për konsultim publik projektligjin ku parashikohen ndryshimet e mësipërme në ligjin “Për akcizat”.

Ndryshimet në ligj tregojnë se qeveria shqiptare nuk do të ripërtërijë kontratën për pullat fiskale me shoqërinë koncesionare “Sicpa Security Solutions S.A” .

“Ky projektligj vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit, të miratuar me ligjin nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions”, SA e “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k për projektimin, financimin dizejnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”, i ndryshuar, sipas së cilës prodhimi, shpërndarja e monitorimi i pullave fiskale të akcizës aktualisht kryhet nga shoqëria koncesionare”, thuhet në p/ligj./ata