Kuvendi ratifikoi me 96 vota pro marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”.
Kjo marrëveshje i hap rrugë çeljes së Kolegjit të Europës, Kampusit të Tiranës, në vitin akademik 2024-2025 për 31 të rinj, që janë pranuar dhe që do të nisin studimet pasuniversitare, me programin e studimit: “Transformimi dhe Integrimi Europian: Bashkimi Europian dhe Europa Juglindore.
Në seancën plenare të radhës me 71 vota pro Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin, “Për prefektin e qarkut”, përmes së cilave rritet eficenca dhe konsolidohet performanca e institucionit të Prefektit në ofrimin e shërbimeve më cilësore.
Në seancën e sotme u votuan me 72 vota pro edhe ndryshimet në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” përmes së cilave synohet rritja e meritokracisë, barazisë dhe efektivitetit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si disa nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetet kjo forcë.
Ndryshimet në ligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, u miratuan me 72 vota pro. Objektivi i ndryshimeve ligjore është sigurimi i shërbimit të përkthimit zyrtar edhe për ato gjuhë për të cilat ky shërbim nuk mund të ofrohet për shkak se deri më tani nuk ka përkthyes zyrtar të certifikuar.
Projektligji parashikon një mekanizëm të ri në rastet kur mungojnë përkthyes zyrtarë, ku për nevoja të ushtrimit të kompetencave të ministrisë apo organeve që ligji u ka njohur të drejtën për përkthim zyrtar, ata të mund të kërkojnë ndihmën e misioneve diplomatike ose posteve konsullore, organizatave ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian, ose autoriteteve të tjera të huaja./ata