Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Olivér Várhelyi deklaroi sot zgjerimi është mes tri përparësive kryesore dhe se pa zgjerimin, Evropa nuk mund të bëhet më e fortë.

Nga Luksemburgu, ku po mbahet sot Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila çel grup-kapitullin “Themeloret” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, komisioneri tha se sot nis puna për të negociuar kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së.

“Po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot. Kjo nënkupton se është çelur rruga për bisedimet thelbësore, çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Kjo është ajo që po ndodh sot”, u shpreh Komisioneri.

Ai vuri në dukje dhe vlerësoi si hap pozitiv faktin që presidenca hungareze ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin jo vetëm si përparësi politike, por duke i shtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e shtyrë përpara procesin institucional, për të ecur para drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

“E padiskutueshme për BE dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tri përparësive kryesore. Pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që BE-ja të bëhet më e fortë, krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019-ën. Kemi për të bërë një rrugë të gjatë përpara”, deklaroi Komisioneri.

Ai risolli në vëmendje edhe momentet e vështira të vendit tonë në përballjen me një katastrofë natyrore, tërmetin e 26 nëntorit 2019, ku theksoi edhe gatishmërinë e BE-së për të mbështetur Shqipërinë.

“Më kujtohet dita e parë në detyrë, kur m’u desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët, sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues 6.4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar”, u shpreh ai.

Kjo, vuri në dukje Varhelyi, do të formësonte edhe bashkëpunimin për integrim në pjesën tjetër të mandatit.

“Jo vetëm i dha formë mandatit, por solli edhe një qasje të re. Sepse ajo çka trashëgova nga komisioni “Junker” ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur, se sa një portofol. Kishim tri përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej më së pari në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë, që do të thotë, të dinim se si do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe para se sa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve”, deklaroi Komisioneri për Zgjerimin.

Sipas tij, në këtë pikë nevojitej hartimi i një metodologjie të re dhe pastaj të vijonim me Planin e Rritjes.

Ky plan, tha Komisioneri, tashmë po e përshpejton zgjerimin për të bërë të mundur që në fund të mandatit të komisionit të ardhshëm, ne të mund të shohim kryeministrin Rama që të emërojë apo propozojë komisionerin e parë në Komision.

Komisioneri theksoi se plani i zgjerimit ishte ambicioz dhe edhe deri diku i pabesueshëm edhe për vetë kryeministrin Rama.

“Kur diskutoja me Kryeministrin planet e mia dhe i thosha që mund të bëj maksimumin, më shihte, nuk e njihnim njëri-tjetrin, por me shikonte me një nivel modest pikëpyetjeje nëse kjo do të ishte e mundur. Dhe është e mundur, sepse Shqipëria ka ndërmarrë një qasje të re kur vjen fjala për ti bërë gjërat dhe kjo qasje e ere do të thotë të mos druhet, të bëjë gjithçka është e nevojshme”, shtoi ai.

Ai theksoi më tej se në 2020-ën pati shqetësime mjaft të mëdha sa i takon krimit të organizuar, korrupsionit sa i takon sistemit gjyqësor.

“Ne u angazhuam, duke marrë veprime së bashku me shtetet anëtare, duke ndërtuar besimin tullë pas tulle dhe mendoj se ishte element thelbësor në suksesin që vendi ka akumuluar tashmë“, u shpreh ai.

Komisioneri deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare në 2022-shin shënoi edhe nisjen e ndërtimit të Evropës në Shqipëri.

“Me hapjen e negociatave në vitin 2022, kur edhe u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, nisëm të ndërtonim Evropën në Shqipëri. Kemi trajtuar çështje të cilat mendoj se kanë qenë problem prej një sërë dekadash. Kjo ka ndodhur, sepse Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj se kjo do të vazhdojë, sepse kjo nënkupton se me të gjitha instrumentet që kemi në duar Shqipëria mund të përgatisë veten për t’u bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm”, deklaroi Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Olivér Várhelyi./ata