Komiteti i Monitorimit të Programit IPARD II 2014 – 2020, strukturë e cila mbikëqyr zbatimin e këtij programi, u mblodh në takimin e 12-të të tij.
Programi IPARD synon mbështetjen e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural, duke nxitur zhvillimin ekonomik në zonat rurale, përmirësimin e cilësisë së jetesës, dhe të përgatisë sektorët bujqësorë për tregun konkurrues të BE-së.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II, që ka në përbërje përfaqësues të shoqatave dhe grupeve të interesit që veprojnë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrive të tjera të linjës, si anëtarë me të drejtë vote. Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm përfaqësues të gjitha strukturave IPARD, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Në takim u diskutua në lidhje me implementimin e programit IPARD në Shqipëri dhe në rajon, zbatimin e programit, sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të IPARD, ecurinë dhe progresin e aktiviteteve të vlerësimit të këtij programi, etj.
Nga zbatimi i Programit janë mbështetur 137 investime në mekanikë bujqësore dhe shtim sipërfaqesh të mbjella, 80 investime në subjekte agroturistike, 73 investime në serra, 72 pika grumbullimi, 46 investime në kantina dhe vreshta, 40 fabrika përpunimi agroushqimore, 34 investime në stalla e ferma blegtorale, 31 investime në energji të rinovueshme.
Programi ka kontribuar në përafrimin gradual me standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social, miqësor me ambientin, nëpërmjet promovimit të përdorimit me eficiencë të burimeve dhe energjisë së rinovueshme.
Gjithashtu programi ka ndikuar direkt në nxitjen e punësimit duke krijuar mbi 1000 vendeve të reja të pune të lidhura me diversifikimin e aktiviteteve bujqësore dhe jo bujqësore në fermë dhe jashtë saj.
Programi ka ofruar mbështetje për sipërmarrësit e rinj (nën 40 vjeç) dhe sipërmarrëset gra, të cilët përbëjnë përkatësisht 50% dhe 25% të projekteve të financuara, duke krijuar mjedisin e përshtatshëm për rritjen dhe fuqizimin e të rinjve dhe grave të angazhuar në sektorin bujqësor.
Deri në fund të vitit 2024, në përfundim të programit IPARD II, autoritetet shqiptare parashikojnë të realizojnë pagesat ndaj fermerëve deri në 79% e buxhetit të Bashkimit Evropian.
Strukturat e IPARD-it morën angazhim për të adresuar me hapa konkretë problematikat dhe nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të këtij programi, të tilla si hartimin e një plani veprimi me masat korrigjuese i cili do të dërgohet pranë Komisionit Evropian, sigurimin e rritjes së transparencës që nga procesi i aplikimit e deri në lidhjen e kontratave për çdo mbështetje ndaj fermerëve apo agropërpunuesve, rritjen e kapaciteteve njerëzore, zhvillimin e mundësisë për një proces aplikimi në format online për mbështetje nga IPARD nëpërmjet platformës “e-application”, duke synuar uljen e ndjeshme të barrës administrative dhe lehtësuar procesin në tërësi./ata