Në kuadër të mbledhjes së Unionit të Transportuesve Rrugorë të vendeve të Europës Juglindore dhe Detit të Zi (BSEC-URTA), e cila mbahet në vendin tonë në kujdesin e ANALTIR, 50 përfaqësues të sektorit të transportit rrugor dhe logjistikës rajonale vizituan Portin e Durrësit.
Vizitorët u mirëpritën nga kreu i APD-së, Pirro Vengu, i cili i prezantoi kapacitetet teknike dhe natyrën e operacioneve në Durrës dhe Porto Romano.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua investimeve strategjike rrugore, hekurudhore dhe portuale aktualisht në proces në Shqipëri përgjatë Korridorit Blu dhe Korridorit VIII, të cilat do të përmirësojnë ndërlidhjen logjistike të vendit me rajonin dhe do të përgjysmojnë kohën e transportit të mallrave nga Adriatiku në Detin e Zi.
Palët shkëmbyen pikëpamje lidhur me masat e ndërmarra për uljen e barrierave jotarifore për transportuesit e rajonit, si dhe nënvizuan rëndësinë e shkurtimit të mëtejshëm të kohës së përpunimit të mallrave që transportohen me traget nga vendet e rajonit përmes Portit të Durrësit.
Pjesë e agjendës së vizitës njohëse ishte gjithashtu ndalesa në Qendrën e Prezantimit të Marinës Turistike dhe në Terminalin e Trageteve, ku përpunohen një numër i konsiderueshëm kamionësh nga vendet e rajonit me destinacion Barin dhe Ankonën.
BSEC-URTA përfaqëson dhe mbështet interesat e 80 mijë kompanive të transportit ndërkombëtar rrugor me rreth 1.200.000 mjete që operojnë në këtë sektor, në vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi./ata