Ambasadorja gjermane e futbollit, Steffi Jones do të vizitojë Tiranën më 22-23 prill, njoftoi sot Ambasada gjermane në Shqipëri.
Gjatë vizitës së saj ajo do të takohet me përfaqësuese dhe përfaqësues të futbollit shqiptar në të gjitha nivelet, me profesionistë por dhe me amatorë dhe fëmijë teksa në fokus të takimeve do të jenë temat gjithëpërfshirje dhe diversiteti.
Kampionati Evropian i Futbollit do të zhvillohet këtë vit në Gjermani, nga data 14 qershor deri më 14 korrik, nën moton: “Loja në fushën e vetë për Evropën”. Kampionati do të jetë një festë e madhe e futbollit, një festë për të gjithë Evropën.
Ambasada bën të ditur se, “si zemra e Evropës, ne jemi të përkushtuar për kohezion në Evropë. Kësisoj, rregullat e qarta, respekti, larmia dhe ndershmëria janë shumë të rëndësishme si në sport, ashtu edhe në politikë. Gjermania është veçanërisht e lumtur që Shqipëria do të marrë pjesë këtë vit në kampionat dhe do të mund të festojë bashkë me të gjithë popullin në Gjermani dhe në Evropë”.
51 ndeshjet e EURO 2024 do të luhen në gjithsej dhjetë stadiume (Berlin, Hamburg, Leipzig, Köln, Dortmund, Gelsenkirchen, Düsseldorf, Stuttgart, Frankfurt dhe München).
Për herë të parë që prej vitit 1988, 24 ekipet pjesëmarrëse do të ndeshen përsëri në Gjermani.
Ndeshja e parë Gjermani-Skoci, e cila hap kampionatin, do të zhvillohet në datën 14 qershor në München. Finalja do të zhvillohet më 14 korrik në Berlin.
“Me kampionatin EURO 2024 ne jemi gjithashtu veçanërisht të angazhuar për qëndrueshmërinë: nuk u ndërtuan stadiume të reja, emetimet e dioksidit të karbonit do të kompensohen dhe biletat e trenave për tifozët që do të udhëtojnë do të ofrohen me çmim të reduktuar”, thekson Ambasada gjermane në njoftim./ata