Hetimet për pronat e ushtrisë, SPAK vijon me marrjen në pyetje të ish-zyrtarëve, ushtarakëve dhe biznesmenëve.

Ylber Dogjani, ish-drejtor i drejtorisë së Logjistikës në komandën e forcës së bashkuar, ish-drejtues i Agjencisë së inteligjencës sigurisë dhe mbrojtjes (Shërbimi Informativ Ushtarak), dhe ish-komandant i Forcës Detare, është pyetur pak ditë më parë në SPAK.

Gjithashtu, në pyetje është marrë edhe një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit.

 

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme po heton disa prej pronave të ushtrisë të cilat kanë kaluar në pronësi private, si baza detare e Limionit në Saranda dhe zona të tjera ku në pyetje në cilësinë e kallëzuesit është marrë në pyetje edhe ish-ushtaraku i lartë Artur Meçollari, Bardhyl Kollçaku, deputet i PS dhe njëherësh ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. E kallëzuar është edhe ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Më 11 mars të vitit të kaluar, GJKKO, ka pranuar kërkesën e SPAK për vënien nën sekuestro preventive të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të dy shoqërive.

Shoqëria parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh për ofrimin e mundësive për ankorim, për 400 anije./OraNews