Partia Demokratike kërkoi sot që Kampi i Spaçit të kthehet në Muze Kombëtar mbi Krimet e Komunizmit.
Sekretari për të përndjekurit politikë në PD, Gjergj Hani u shpreh në një deklaratë për mediet se “më 2010 Partia Demokratike ka miratuar Ligjin 10241, sipas të cilit ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”.
“Kampi i Punës së Detyruar, kjo trashëgimi politike dhe historike duhet të kthehet në Muze Kombëtar mbi Krimet e Komunizmit. Një monument i kujtesës së vuajtjeve, terrorit dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”, tha ai.
Hani theksoi se, “Spaçi ka vlera të jashtëzakonshme si muze i gjallë i kujtesës historike të shkuarës dikatoriale me vlera historike të rëndësisë kombëtare”.
“Ky është objektiv i Partisë Demokratike i materializuar tashmë, prej dy vitesh, në një projektligj, depozituar në Kuvend me nr. 2388 Prot., datë 30.06.2022, pasi është detyrim politik dhe moral për të gjithë ata shqiptarë që vuajtën dhe u trajtuan në mënyrë ç’njerëzore në Kampin e Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç, përgjatë regjimit gjakatar të Enver Hoxhës”, shtoi ai më tej.
Sot, vijoi Hani, “ai është detyrim për brezat e rritur pas diktaturës, me qëllim jo vetëm njohjen por në veçanti ruajtjen e kujtesës kolektive”.
“Shoqëria shqiptare duhet të përballet me të shkuarën e saj, ta njohë dhe ta pranojë atë. Ky monument dhe vlera që jeton jashtë tij nëpërmjet memories historike të së shkuarës diktatoriale komuniste zotëron fond muzeor me vlera kulturore e historike të rëndësisë kombëtare”, tha Hani./ata