Me ftesë të Kryetares së Delegacionit të Përhershëm Parlamentar në AP NATO, Mimi Kodheli, Kuvendi i Shqipërisë në datat 16-18 prill 2024 mikpriti një delegacion nga Komisioni për Demokraci dhe Siguri i Asamblesë Parlamentare të NATO-s (AP NATO) të kryesuar nga Vasile Dincu.
Në vizitë morën pjesë mbi 25 parlamentarë nga Italia, Britania e Madhe, Turqia, Belgjika, Republika Ceke, Polonia, Rumania, Spanja dhe Holanda të cilët gjatë qëndrimit në Shqipëri patën mundësi të zhvillojë takime në Tiranë si dhe të vizitojë QNOD, Qendrën Ndërinstituicionale Operacionale Detare në Durrës si dhe Bazën Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë.
Gjatë vizitave u diskutua mbi kontributin e Shqipërisë në NATO, ndikimi i luftës së Ukrainës në Shqipëri dhe në Ballkan.
Aktiviteti që filloi në Kryesinë e Kuvendit u përshëndet nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila gjatë fjalës së saj vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO.
“Organizimi i këtij takimi në Kuvend rikonfirmon rolin dhe kontributin aktiv të Shqipërisë në Aleancë. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia në Organizatë. Por nga përkushtimi i sinqertë për paqen, sigurinë dhe lirinë e kombeve. Ne, shqiptarët, e kemi fituar besimin dhe bindjen e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin tonë të qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës. Investimi për paqen dhe sigurinë nuk sjell sigurokraci, por ushqen procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Kjo sinergji ka më shumë domethënie në kushtet e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Shqipëria është sot lidere rajonale në luftën kundër influencave joperëndimore në rajon. Këto influenca nuk janë më ideologjike dhe kulturore, por rreziqe të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në sistemet tona, në funksionimin e institucioneve, agjencive dhe të proceseve të zhvillimit”, theksoi Nikolla.
Mimi Kodheli, kryetare e Delegacionit të Përhershëm Parlamentar të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, vuri në dukje se, “Shqipëria është një anëtare e vyer dhe aleate e besueshme e NATO-s. Shqipëria e konsideron bashkëpunimin dhe rritjen e besimit midis aleatëve dhe partnereve qofshin këta rajonale apo mbarëbotërore, si një element kyç për promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes, kudo. Kjo filozofi e përqasje qëndron në themel të politikës sonë të jashtme. Rajoni i Ballkanit, përtej retorikës politike, ka njohur zhvillime të rëndësishme në drejtim të integrimit euroatlantik, ndërkohë që ky proces përbën edhe makinerinë kryesore për kryerjen e reformave dhe ruajtjen e stabilitetit në vendet e tij. Bashkëpunimi dhe perspektiva euroatlantike janë thelbësore për t’i mbajtur vendet e rajonit tonë në rrugën e demokracisë paqes dhe prosperitetit”.
Parlamentarët patën mundësi të shkëmbejnë opinionet e tyre me zëvendësministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të fushës.
Po ashtu delegacioni u prit në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj si dhe nga Kryeministri Edi Rama.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin se Shqipëria është tërësisht e përkushtuar për të vijuar me angazhimet e saj në NATO dhe për të forcuar mbrojtjen kolektive.
Takimi u zhvillua më pas në formën e një bashkëbisedimi, gjatë të cilit Presidenti i Republikës shprehu qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me situatën në rajon, mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, si edhe nevojën e gjetjes së zgjidhjeve nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv.
Delegacioni vizitoi QNOD në Durrës ku u prit nga drejtori i përgjithshëm i Qendrës, Zyber Dushku.
Ky i fundit bëri një prezantim të misionit dhe fushës së përgjegjësisë së këtij institucioni të një rëndësie të veçantë ndërsa gjatë vizitës në sallën operacionale delegacioni pati mundësinë të asistonte në një situatë aktuale që ishte duke ndodhur.
Në vizitën e tyre në Berat, delegacioni vizitoi qendrën muzeale të qytetit.
Parlamentarët mbyllën aktivitetin e tyre në Shqipëri duke bërë një vizitë në Bazën Taktike të NATO-s në Kuçovë e inauguruar në datën 4 mars 2024. Komandanti i Bazës bëri me dije historikun e Bazës si dhe më pas shoqëroi delegacionin për të vizituar nga afër ambientet e saj, kullën e re të kontrollit, pistat e ndërtuara si dhe lehtësirat e ndryshme brenda bazës, që janë një investim tërësisht i ri i bërë nga NATO./ata