Ministri i Financave, Ervin Mete në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha se, “Shqipëria në këto 5 vitet e fundit vlerësohet se ka pasur rritjen ekonomike më të lartë në Rajon”.
“Shqipëria edhe në raportet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka rezultuar si një nga ekonomitë më rezistente në Rajon, duke pasur parasysh përballjen me një sërë krizash të njëpasnjëshme që nga tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe pastaj lufta në Ukrainë, që solli efektet në rritjen e inflacionit. Lajmi i mirë është që jo vetëm kemi arritur të tejkalojmë efektet e këtyre krizave, por tashmë jemi rikthyer në parametrat makroekonomik të para periudhës së krizës, por edhe i kemi tejkaluar ato”, tha Mete.
Sipas tij, viti 2023 u mbyll me një nivel nën 60% të borxhit publik, tregues që edhe nga vlerësues ndërkombëtar, ne për herë të parë kemi marrë një vlerësim duke kaluar nga niveli “B” në atë “BB”.
Mete u shpreh se, treguesi për rritjen ekonomike, nuk është rënie por moderim i rritjes ekonomike.
“Rritja ekonomike vlerësohet vit për vit. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që ne krahasimisht me Rajonin dhe vendet e BE-së, konsiderohemi që kemi një rritje solide. Kjo do të thotë që nese rritja ekonomike e Shqipërisë vitin e kaluar ishte 3.4%, rritja në eurozonë që është partneri ynë kryesor tregtar ishte 0.4%”, tha Mete.
“Duhet të kemi parasysh që ne jemi një ekonomi e vogël shumë e ndërlidhur dhe në momentin që krahasimisht me vendet partnere dhe rajonin arrijmë të kemi një rritje, konsiderueshëm më të lartë në terma krahasimore, konsiderohemi që jemi në një situatë të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe ka një zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të vendit”, deklaroi Mete.
I pyetur në lidhje me treguesit në rënie të konsumit, ministri shpjegoi se, krahasimet duhen bërë në periudha pak më të gjera dhe duhet parë edhe në kuadrin e politikave të tjera që ndërmerren.
“Ne ndodhemi në një situatë të politikave monetare shtrënguese, ku jo vetëm në Shqipëri, por dhe në SHBA, apo vende të tjera, bankat qendrore kanë shtrënguar poltikën monetare, që do të thotë, kanë rritur interesat dhe një nga efektet e rritjes së interesave është pikërisht moderimi i konsumit, sepse moderimi i konsumit është një nga mekanizmat për të mbajtur në kontroll inflacionin dhe këto politika monetare praktikisht te ne kanë dhënë efekt, sepse ne në muajt e parë të këtij viti kemi një nivel të reduktuar të inflacionit, duke zbritur nën targetin e vendosur nga Banka e Shqipërisë, madje më herët sesa ishin parashikimet, sepse gjatë këtyre viteve për shumë vende, përfshirë dhe SHBA, pas nisjes së luftës Rusi – Ukrainë, inflacioni ka qenë sfidë kryesore”, tha Mete.
“Tashmë”, vijoi ai, “ne ndodhemi nën objektiv dhe vlerësojmë që edhe nga diskutimet që kemi pasur me Bankën e Shqipërisë e cila është po ashtu pjesë e delegacionit në takimet me Bankën Botërore dhe FMN, që nuk ka nevojë për hapa të mëtejshëm për sa i përket shtërngimit të politikës monetare, madje, në një të ardhme jo të largët, mundet që politika të lëvizë në kahun tjetër”.
“Për te qenë konkret te pyetja juaj, moderimi i konsumit është efekt edhe i këtyre politikave dhe më momentin që inflacioni vihet në kontroll, pritshmëria jonë është që konsumi do zgjerohet përsëri”, deklaroi Mete.
Ministri tha se, sa i takon sektorit të bujqësisë ka pasur zhvillim gjatë një sërë vitesh.
“Është një nga sektorët e rëndësishëm për ekonominë tonë. Kërkon një qasje të vazhdueshme reformuese sa i përket jo vetëm ndërhyrjes së shtetit në atë sektor, pra subvencionimit, sepse është një sektor që merr subvencionime të rëndësishme dhe ne do ta vazhdojmë subvencionimin edhe gjatë rishikimit të buxhetit në mes të këtij viti, por është një sektor që duhet parë dhe në reformimin, apo ristrukturimin e mënyrës së të bërit biznes, duke agreguar operatorët në këtë sektor dhe duke pasur parasysh që duhet të shkëputemi nga bujqësia manuale dhe të kalojmë në një format të mekanizuar që i përgjigjet presioneve konkurruese të rajonit, apo të BE ku ne po shkojmë dhe në të cilat do duhet të përballet ky sektor”, u shpreh Mete./ata