Një ndër destinacionet më tërheqëse në Jug është fshati piktoresk i Lukovës. Ndodhet vetëm 21 km larg qytetit të Sarandës dhe ofron për turistët mundësinë e jashtëzakonshme për të kaluar pushime në bregun më të bukur jonian, me çmime më të lira se në Sarandë, Himarë apo Ksamil.
Turistët e parë kanë mbërritur ende pa nisur sezoni turistik. Janë kryesisht të huaj, italianë, spanjollë që shijojnë plazhet e virgjëra, detin e kristaltë.
Në Prill, Maj dhe Qershor në Lukove gjen dhoma per dy persona me 25 euro nata, ndërsa shezllonet në plazh janë falas në këtë periudhë.
“Sot ka 750 shtretër dhe për ditë shohim interesin e pushuesve që preferojnë Lukovën dhe plazhet e virgjëra. Çmimet në Lukovë janë të ulta, 10 deri 20 për qind më ulta se në Sarandë. Kjo vjen në saj të mosnjohjes akoma të fshatit dhe resurseve që ofron. Në pikun e sezonit, maksimumi arrin 2 mijë lek një çadër me dy shezlong, ndërsa gjatë muajve të tjerë janë pa pagesë. Në Maj dhe Qershor kushton 25 euro/dhoma. Ndërsa në korrik dhe gusht janë 50 euro në natë/ dhomë. Në 3-4 vitet e fundit rezervimet janë shtuar, kryesisht italiane, spanjollë, francez. Të vendin e 7 apo të 8 janë renditen shqiptarët”.- thotë Odisea Papa, operator turistik.
Kalldrëmet karakteristike dhe shtëpitë mbuluar me lule, janë vetëm disa nga veçoritë që e bëjnë Lukovën të adhurueshme. Vija bregdetare përbëhet nga një shumëllojshmëri gjiresh si dhe plazhi i madh me emrin Shpella e Lukovës.
‘Pushuesit e huaj janë të interesuar për bukuritë e Lukovës, kodra, mal e det. Kemi tre kisha në Lukovë, një në plazh, dhe dy nëpër ara poshtë. Janë historike të vjetra, në ’67 u shkatërruan. Kisha e Shën e Premtes, e kemi mes ullinjve e portokalleve dhe kemi Shën Mëri tek burimi ajo nuk është restauruar akoma. Janë të interesuar shumë fshati I vjeter, kalldrëmi dhe uji që kalon anash kalldremi, fshati poshtë por dhe qendra këtu. Lukova ka histori të veçanet në kulturë dhe sport.’- thotë Areteo Çetri, kryetar i fshatit.
Në Lukovë ndodhet disa kisha ortodokse me e vjetra prej tyre kisha Shën e Premte, e cila daton në vitet 1600. Kisha ka gjashtë kolona, të veshura me harqe. Dikur kishte një kambanë, e cila ishte dhuruar nga mbreti i Napolit në vitin 1695, por u zhduk në vitin 1967, gjatë shkatërrimit masiv të kishave dhe xhamive që u bënë nën regjimin komunist./Shqiptarja