Përparimi i reformave është kusht për përfitimin nga plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh i prezantuar nga Komisioni Europian në nëntor të vitit 2023.

Këtë e deklaroi André Rizzo, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, gjatë tryezës të mbajtur sot në “Europe House”, ku u diskutua për “Tregun e përbashkët rajonal dhe reformat e vendit në Planin e ri të Rritjes”

“Është një lajm i mirë që tashmë ka një zotërim domethënës të Planit të Rritjes në rajon. Komisioni Europian vlerëson se Plani i Rritjes është i aftë të kontribuojë për të pasur një efekt transformues në ekonomitë e rajonit, me kusht që të përmbushen plotësisht reformat sipas Planit”, tha André Rizzo.

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Karl Bergner, tha se Gjermania e mbështet plotësisht planin e rritjes.

“Qeveria gjermane mbështet plotësisht objektivat e Planit të Rritjes, në veçanti synimin për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë tregut të brendshëm të BE-së dhe gjithashtu më pranë pranimit. Ne e shohim Procesin e Berlinit dhe Planin e Rritjes si plotësues të njëri-tjetrit dhe një koordinim i mirë midis Komisionit, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Procesit të Berlinit është kyç për suksesin e tij”, u shpreh Karl Bergner, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

E pranishme në aktivitet, kryetarja e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku, theksoi se duhet një angazhim më i madh i parlamentit në çështjet e integrimit.

“Pjesëmarrja e hershme e Parlamentit është vendimtare për të çuar përpara diskutimet kombëtare dhe reformat si dhe axhendat legjislative. Mekanizmat tanë parlamentarë të integrimit në BE janë të hapur për aktorët socialë që kontribuojnë në këtë proces”, tha Tabaku.

Qeveria shqiptare është në fazën përfundimtare të hartimit të listës së reformave që do të mbështeten nga ky fond. Plani parashikon 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi me pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin reforma specifike socio-ekonomike dhe themelore. Plani i rritjes synon të mbështes ekonominë e vendeve të rajonit kryesisht në forcimin e tregut të përbashkët rajonal, për ta integuar gradualisht me atë të Bashkimit Europian. Kjo do t’i japi mundësi tregut rajonal të Ballkanit Perëndimor të jetë i konkurrueshëm me atë të Bashkimit Europian. Me këtë plan rritje synohet që sipërmarrjet e rajonit të mos ballafaqohen pa instrumentet e duhura me tregu e BE, pasi do ishte e vështirë për mbijetesën e tyre. Kjo periudhë do të jetë e rëndësishme për sipërmarrjet e vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor për t’u përgatitur për të konkurruar dhe bashkëvepruar me tregun e BE, në kuadër të integrimit në familjen europiane./ata