Institucionet arsimore të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri kanë festuar në një aktivitet 23 Prillin, që në Türkiye shënohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe përfaqësuesve të institucioneve.
Në një njoftim nga Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri thuhet se në aktivitetin e organizuar në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.
Sipas njoftimit, Ambasadori Atay falënderoi nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, sipas tij për mbështetjen e treguar gjithmonë. Gjithashtu ambasadori Atay ka theksuar rëndësinë e Ditës së Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve që shënohet më 23 prill.
Në fjalën e tij, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Özbaysar, përgëzoi fëmijët dhe uroi përvjetorin e kësaj feste.
Ndërkohë, sipas njoftimit, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Luarasi, përgëzoi fëmijët, prindërit, shkollat Maarif në Shqipëri dhe Ambasadën Turke që sipas saj janë "gjithmonë mbështetëse të rritjes së cilësisë së arsimit në Shqipëri".
Gjatë aktivitetit u realizua një program artistik nga nxënësit e shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri.
Në aktivitet u përcollën edhe urimet për paqe dhe për një të nesërme të qetë e të lumtur për fëmijët në Gaza dhe për fëmijët në gjithë botën.
Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullorë i Türkiyes. Festimet e 23 Prillit përqendrohen tek fëmijët, pasi Mustafa Kemal Atatürku, themeluesi i Republikës Turke, ua kushtoi ditën fëmijëve.
Në këtë ditë në vitin 1924, u vendos që data e themelimit të Kuvendit të Madh Popullorë të shënohet si festë kombëtare. Pesë vjet më vonë, më 23 prill 1929, kjo festë iu është dhuruar fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë si Dita e Fëmijëve./aa