Kryeministri Edi Rama vizitoi sot shkollën 9-vjeçare “Demokracia” në Valias, Kamzë, e ringritur nga themelet me financimin e buxhetit të shtetit.

Kryeministri ndau në rrjetet sociale momente nga vizita në këtë shkollë, një prej 38 objekteve arsimore që janë rindërtuar në bashkinë e Kamzës.

“Kamza e Rilindjes nga investimi popullor me votë”, shkruan Rama, duke iu referuar transformimit që ka ndodhur në këtë bashki.

Duke iu drejtuar kryebashkiakut të Kamzës Rakip Suli, Rama u shpreh: “Na e bëre Kamzën krye kryeqytet.”

Po ashtu, Rama iu përgjigj edhe një banori i cili kërkoi që të hiqen telat ajrorë të energjisë.

“Kështu është jeta, se deri dje nuk i shihje telat se kishe frike se bije në gropë, tani u vendos rregulli në tokë, tani shihet lart. Kështu është jeta”, tha Kryeministri.

Shkolla 9-vjeçare “Demokracia” në Valias, Kamzë është konceptuar si një kompleks arsimor ku përfshihen përveç shkollës me 445 nxënës, edhe kopshti e çerdhja me 155 fëmijë, si dhe stafi pedagogjik me 36 mësues dhe edukatorë.

E ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, kjo shkollë është e pajisur me klasa komode, laboratorë, bibliotekë, një sallë aktivitetesh, auditor prej 180 vendesh, terrene sportive e hapësira rekreative, në shërbim të gjithë komunitetit të Valiasit.

Për afrimin e shërbimeve të lehtësuara ndaj studentëve Bashkia Kamzë tashmë është angazhuar që bashkë me Universitetin të krijojë ndërlidhjen mes nxënësve të klasave të 12-ta dhe nxitjes për të studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës./ata