Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Zagreb, Kroaci.

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Hasani do të zhvillojë takime me presidentin, Zoran Milanović, kryeministrin, Andrej Plenković, si dhe me homologun kroat, Gordan Grlić-Radman.

Sipas zyrës së shtypit pranë MEPJ-së, Hasani do të marrë pjesë gjithashtu në çeljen e ekspozitës fotografike “Shqiptarët në Kroaci”.

Kjo është vizita e parë zyrtare e ministrit Hasani në Zagreb, shprehje e vullnetit të përbashkët për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe më gjerë, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për të bashkërenduar përpjekjet për anëtarësimin sa më të afërt në familjen evropiane.

Vizita do të shërbejë, gjithashtu, si një rast inkurajimi i Tiranës zyrtare dhe Zagrebit zyrtar për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian, si edhe të nxitjes së bashkëveprimit në realizimin e projekteve të përbashkëta./ata