Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vuri në skenë një performancë të veçantë, eksperimentale për skenën shqiptare e cila bëri bashkë elemente të baletit modern, shoqëruar nga një skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër.
Vepra e titulluar “Nga pafajësia në pafajësi” me performance të Julian Bulkut, është shkruar nga Jora Vaso dhe Kleitia Vaso, ndërsa regjisore është Inis Gjoni.
Autoret thonë se, vepra trajton emigrimin, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë.
Një komponent i rëndësishëm i veprës, e cila u duartrokit nga publiku, ishte muzika e Alban Laros, një emër i njohur për publikun shqiptar që prej fillimit të viteve `90, kur së bashku me të tjerë artistë me emër themeluan grupin muzikor “Thunder way”. Alban Laro është i biri i ikonës së muzikës së filmit shqiptar, kompozitorit Kujtim Laro. Ashtu si dhe babai i tij, Alban Laro është angazhuar në kompozime në teatër e kinematografi në vepra si: “Burka e Medeas”, “At Sergi”, “Sophia”, “Foreigner” etj.
Në performancën “Nga pafajësia në pafajësi” lexuan edhe aktorët e mirënjohur Rajmonda Bulku dhe Bujar Asqeriu./ata