Asambleja e Akademisë së Shkencave ka votuar dhe miratuar pranimin si akademikë të jashtëm të saj, të disa personaliteteve që jetojnë e punojnë larg Shqipërisë. Mes tyre është koreografi Angjelin Preljocaj, studiuesja e shkencave të informatikës, Mira Murati dhe shkrimtarja Lea Ypi.

Angjelin Preljocaj, tashmë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, u propozua nga radhët e personaliteteve të shquara si Gjergj Prevazi dhe nga akad. Ismail Kadare, me një libër kushtuar atij.

Ai është një nga personalitetet më të njohur në botë në fushën e koreografisë bashkëkohore. Që prej mesit të viteve 1980 dominon skenën franceze, europiane e botërore me mjeshtërinë dhe origjinalitetin e artit të tij, si balerin e koreograf. Ismail Kadare ka shkruar për Preljocajn: “Alfabeti i tij i gjallë njerëzor ka gjithë mrekullinë, po edhe përkohshmërinë që ka qenia njerëzore; ky alfabet bart gjithë thesarin e tij”.

Ndërsa Ermira Murati është studiuese e drejtuese ekzekutive në degëzimet më të reja të shkencave të informatikës; përgjegjëse në të mirënjohurën “Open Artificial Inteligence” që nga viti 2018. Pas një bashkëpunimi të suksesshëm si studiuese prej më shumë se shtatë vjetësh dhe u bë zyrtari kryesor i teknologjisë, duke udhëhequr punën në ChatGPT.

Rekomandues ishin akad. Anastas Angjeli dhe prof. Dhimitër Tole, që e cilësojnë kandidaten si një nga personalitetet më të njohur sot në fushën e zhvillimeve teknologjike dhe të inteligjencës artificiale.

Lea Ypi, e njohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht si studiuese e shkrimtare shqiptare, është autore e tetë veprave studimore e letrare të mirënjohura, të botuara anglisht, gjermanisht, frëngjisht, hollandisht, spanjisht, italisht e kinezisht; dy prej tyre të botuara dhe në shqip.

Rekomandues të kandidaturës së saj ishin akademikët Floresha Dado e Stefan Çapaliku, të cilët vlerësojnë se kandidatja është një personalitet me sukses të jashtëzakonshëm në shkallë ndërkombëtare, me prestigj të lartë.

Të tjerë personalitete që u pranuan si anëtarë të jashtëm të ASHSH janë Gëzim Alpion dhe Lulzim Tafa./ata