Në vijim të nismës për rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Andrea Stefani” në Laprakë iu bashkuan fushatës së bashkisë Tiranë për mbjelljen e 159 pemëve.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i falënderoi nxënësit që iu bashkuan nismës, ndërsa përcolli një mesazh për ata që merren me fjalë, të kontribuojnë për qytetin duke mbjellë pemë.
“Është një kënaqësi e veçantë që, nxënësit e shkollës “Andrea Stefani”, të cilët sot mësojnë në një shkollë super të re, një nga 40 shkollat e reja që kemi hapur gjatë fushatës së shkollave dhe na janë bashkuar në fushatën e mbjelljeve. Për të gjithë ata që kritikojnë se Tirana nuk ka mjaftueshëm gjelbërim, do të kishim më shumë gjelbërim sikur secili që ankohet të ketë mbjellë edhe ai një pemë. Shpresoj shumë që ta kthejmë cinizmin dhe kritikën në një sjellje pro aktive, ku secili bën të veten”, tha Veliaj.
Në zbatim të nismës së re, kryebashkiaku i Tiranës evidentoi se në këtë lagje të njësisë 11 tashmë ka një park të ri, të krijuar spontanisht, si rezultat i pemëve të mbjella nga bashkia para 2 vitesh.
“Këtu jemi te fusha e pallateve “Malajzane”. Siç e shikoni, shumë nga pemët që kemi mbjellë para 2-3 vitesh, tashmë kanë hedhur shtat. Jemi në fazën kur nga një park, le të themi spontan, mund ta kthejmë në një park të rregullt. Do të presim të mbarojë stina e mbjelljeve dhe shirave, që gjatë verës të merremi me konturimin e parkut, për ta kthyer këtë hapësirë, nga një hapësirë tranzit, ku njerëzit thjesht kalojnë nga një lagje tek tjetra, në destinacion, ku njerëzit vijnë me arsyen kryesore për të kaluar kohë cilësore në park”, u shpreh Veliaj.
Duke u ndalur te projektet e reja, që pritet të zbatohen brenda këtij mandati, ai foli edhe për Terminalin Verior të autobusëve, ku njoftoi se shumë shpejt do të nisin punimet, teksa theksoi se do të rrisë ndjeshëm vlerën e pronës në gjithë zonën, pasi do frekuentohet gjerësisht jo vetëm nga udhëtarët, por edhe nga banorët përreth, siç ka ndodhur në Terminalin Lindor.
“Do të nisim punimet për Terminalin Verior të autobusëve, ndaj do të doja të kishim një bashkëpunim me njësinë. E di që, si në çdo punë që bëhet në Tiranë, fillimisht do dalin ca pretendues të tokës, pastaj futen partitë politike sepse jam i sigurt që edhe ky investim nuk do i shpëtojë këtij mallkimi, që me sa duket, e kanë ata që punojnë në këtë qytet. Kush punon do shihet, kush hap një kantier do pengohet. Por, ajo që është e rëndësishme është se kemi fituar betejën ligjore”, tha Veliaj.
Sot, shtoi Veliaj, i kemi kaluar të gjitha fazat me zaptuesit, pretenduesit, me lloj-lloj personazhi, që është afruar për ta marrë atë tokë.
“Toka është e bashkisë, ne i kemi fituar ato beteja. Gjykatat kanë dhënë verdiktin final. Dua bashkëpunim maksimal dhe mirëkuptim, që të mos e bllokojmë më qytetin. Ndryshe, vetëm vonohemi, se punët gjithsesi do ndodhin. Tek Astiri vetëm u vonua, se Astiri u bë; tek Bulevardi u vonuam, te Teatri po ashtu. Punët do bëhen, çështja është të mos vonohemi më. Sikur të kishim punuar aq shumë sa kemi bërë debate, do kishim ecur më përpara. Kush ka nevojë të shohë një provë se çfarë do të thotë ky terminal modern, mjafton të shohim atë në Lundër. Kush është dyshues duhet të shohë se si është bërë atje, për të parë se si do bëhet këtu”, përfundoi Veliaj./ata