Pas shkëmbimit të deklaratave mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ky i fundit është ankuar te drejtuesja e seancës në Këshillin e Sigurimit të OKB se Osmani ka sjellë në sallë “njerëz që nuk e kanë vendin aty”.
Vuçiç iu referua 4 grave që ndodheshin pas Presidentes së Kosovës, të cilat ajo i përmendi si viktima të akteve barbare në luftën e më shumë se dy dekadave më parë gjatë ligjërimit të saj.
Sipas tij Osmani nuk tha asnjë fjalë për raportin e UNMIK dhe zhvillimet e 6 muajve të fundit mes vendeve.
Qëndrimit të Vuçiç iu bashkua edhe delegacioni i Rusisë, me përfaqësuesin Vasily Nebenzya, i cili u shpreh se Osmani është ftuar në seancën e Këshillit të Sigurimit si një person privat, ndaj ajo nuk mund të sjellë një delegacion.
Osmani u kundërpërgjigj duke thënë se zonjat pas saj janë pjesë të kabinetit të saj qeveritar dhe janë nën cilësinë e këshilltareve të saj.
Megjithatë përfaqësuesi rus insistoi se Osmani “mund të besojë se ka një kabinet apo ministra”, duke iu referuar faktit se Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa theksoi sërish se kryetarja e shtetit të Kosovës është ftuar në cilësinë e një personi privat.
Pjesë nga debati:
Vuçiç: Ka diçka që ka ndodhur për herë të parë në këtë vend. Ke sjellë njerëz që nuk e kanë vendin këtu në sallën diplomatike. Është një lloj teatri politik dhe kurthi për delegacionin serb. U fokusova te raporti i shefes së UNMIK. Ajo që kemi dëgjuar deri tani, ishte një si proces gjyqësor për luftën ndaj serbëve për diçka që ndodh para 25 viteve. Asnjë fjalë për raportin, për 6 muajt e fundit. Pse nuk na informuat se kush do të ishte në çdo delegacion. A besoni vërtet se nuk ka pasur gra të përdhunuara serbë në Kosovë në atë periudhë. Do ua tregoj, por është një person që nuk mund ta sillja këtu sot. Kjo grua në foto u përdhunua disa herë dhe u masakrua, por nuk ishte tema e takimit të sotëm. Herën tjetër na informoni, se disa qytetare që do jenë pjesë e seancës, do të fajësojnë disa nga ana tjetër.
Vasily Nebenzya: Zonja Osmani është kthyer te njerëzit pas saj duke u thënë se janë persona të delegacionit të saj, por ajo është ftuar si person privat. Kjo nuk do të thotë se duhet të ketë një delegacion pas saj. Edhe nëse protokolli e lejon, ata duhet të ulen pas saj atje tej.
Osmani: Kam të drejtën të përgjigjem ndaj propagandës së Vuçiç, por për problemin procedural dua të informoj anëtarët, 4 gratë pas meje janë pjesëtare të kabinetit tim, ato janë në rol këshillimor këtu. Ato janë në këtë cilësim, këtu, si pjesë e kabinetit tim.
Vasily Nebenzya: Zonja presidente, zonja Osmani mund të besojë se ka një kabinet, ministra, etj, por në pikëpamjen tonë, nëse ajo beson se ka një kabinet, ajo është ftuar si një person privat këtu./BalkanWeb