Komandanti i ri i KFOR-it gjeneralmajor Enrico Barduani arriti sot në Aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga ambasadori i Italisë Antonello De Riu.

Barduani do të jetë gjenerali i 14-të italian që komandon misionin e KFOR-it. Ai ka pasur një karrierë të gjatë dhe të spikatur si brenda dhe jashtë vendit. Posti i tij i fundit ishte në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes Guido Crosetto, ku shërbeu si shefi i politikës së mbrojtjes.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, si reagues i tretë i sigurisë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in./ Kosovapress/