Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi deklaroi sot se takimi me shqiptarët në Athinë i kryeministrit Edi Rama nuk ka asnjë tendencë të ndikojë në politikën e brendshme të Greqisë.
Gjatë një konference për mediet, Klosi konfirmoi se takimi i kryeministrit Rama me shqiptarët në Athinë do të zhvillohet të dielën, në 12 maj, në orën 11:00.
Sipas tij, turi ishte njoftuar gjatë punimeve të Kongresit të 8 dhjetorit 2023 dhe nuk ka asnjë lidhje me arrestimin e Fredi Belerit.
“Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së fillon nga Athina turin e takimeve me diasporën shqiptare. Turi do të jetë në katër faza. Në datën 12 maj do jemi në Athinë në orën 11:00, në datën 26 maj në Milano, në datën 2 qershor në Londër dhe në 16 qershor në Düsseldorf”, sqaroi Klosi.
I pyetur nga gazetarët nëse data e takimit në Greqi është rastësi apo ka lidhje me shënimin e një viti nga arrestimi i Fredi Belerit, Klosi u shpreh se “ne turin e kemi deklaruar që në datën 8 dhjetor 2023”.
“E kemi thënë në Kongresin e 8 dhjetorit se do të kemi kontakt të vazhdueshëm me diasporën. Pasi bëmë turin e takimeve brenda Shqipërisë i erdhi radha disporës. Nuk ka asnjë lidhje me datën e 1 viti nga arrestimi i Belerit, siç nuk ka asnjë tendencë që takimi i Athinës, Milanos, Londrës dhe Düsseldorf të ndikojë në politikën e brendshme të këtyre vendeve”, tha ai.
Klosi theksoi se “Edi Rama, kryetar i PS ka shkuar disa herë për të takuar emigrantët në Greqi”.
“Ne kemi pasur takime të shpeshta kudo ku ka emigrantë, për të krijuar degët tona të partisë ku ka shqiptarë. Asnjëherë nuk ka pasur këtë vëmendje dhe debat për një kryetar shteti, pasi është një standard që ndodh kudo në botën e qytetëruar. Edhe kryeministri grek ka qenë në kohë fushate në vendin tonë, në zonën e Dropullit. Nuk kemi thënë asnjëherë asgjë. Edhe kryetari i SYRIZA-s ishte dje në Dropull dhe vizita e tij u mirëprit”, tha Klosi.
I pyetur për votën e emigrantëve, Klosi theksoi se “vullneti i PS-së për sa i përket votës së emigrantëve tani është i shprehur”.
“Falë këtij vullneti, falë votës së deputetëve të PS-së në Kodin elektoral, ndryshimet që janë bërë në mandatin e kaluar dhe tashmë janë aktive, është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita në Athinë ka të bëjë edhe me këtë dimension. Kontaktet që duket të ketë shteti amë me diasporën për të pasur një rienergjizim si kudo në Shqipëri edhe në diasporë të raporteve të emigrantëve me shtetin shqiptar”, tha ai.
Klosi u shpreh se për sa i përket votës së emigrantëve, ne këtë vullnet e kemi shprehur.
“Do të ishte shumë mirë që komisioni bipartizan të kishte funksionuar, ta diskutonte gjerësish këtë temë dhe të zbatonte kushtet teknike mbi të cilat kjo votë duhej të realizohej, pasi vota e emigrantëvë është një votë e cila ka nevojë për procedurë të standardeve, debat politik për mënyrën se si do të realizohet. Ne jemi jo vetëm të dëshiruar, por kemi shprehur vullnet politik për të realizuar votën e emigrantëve”, tha ai./ata