Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me drejtues të shkollës elitare franceze ESPT Paris, pjesë e Grand École.

Manastirliu bëri të ditur se në takim u diskutua për të çuar në një nivel të ri bashkëpunimin me Universitetin Politeknik të Tiranës, në degët e inxhinierisë civile dhe teknologjisë.

“Synohen diplomat e përbashkëta edhe në ciklin master, në kuadër të ndërkombëtarizimit të Universiteteve dhe rritjes së nivelit të kërkimit shkencor”, u shpreh ministrja.

Në kuadër të bashkëpunimit me Francën në fushën e arsimit, po përgatitet edhe plani i përbashkët për të mundësuar hapjen e një filiali të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne, në Tiranë duke mundësuar zgjerimin dhe alternimin e ofertës akademike, jo vetëm për studentët shqiptarë, por për studentët e huaj./ata