Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha sot se vendimi i Kolegjit për të mos përfshirë emrin e Sali Berishës në fletën e votimit për këshillat bashkiakë, nuk do të ndikojë në fitoren e koalicionit të djathtë.

 

 

Duke folur në një deklaratë për mediat ai tha se kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 14 majit janë të konsumuar dhe një pjesë e tyre për burg.

 

“Zero ndikim do të ketë te votuesit lojërat që bën Rama me panikun e humbjes që ka për 14 majin me cic mice të tilla që turpërojnë Kolegjin Zgjedhor. Është zgjedhje e forcave politike të koalicionit që të paraqiten me një emër. Nuk ka qenë një kërkesë e Berishës, ka qenë një kërkesë e kryetarëve të tre forcave politike për të qenë emri i Berishës meqenëse e kanë pasur të domosdoshme të ketë një emër. Të gjitha këto lojëra nuk ka qytetar të Tiranës dhe Shqipërisë që nuk e kupton hallin e madh që ka gjetur Ramën. Ai ka ca kandidatë kukulla të konsumuara, që kanë firmosur për të vjedhur dhe për të ndarë plaçkën. Një pjesë të kandidatëve i ka çuar në burgje e prokurori, të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të skandaleve të mëdha, të tjerë presin radhën. Të gjithë e dinë që në Tiranë kandidati i opozitës është Belind Këlliçi që fton kandidatin e PS-së në debat dhe Rama e fsheh atë”, tha Meta.

 

Duke komentuar shfaqjen e fundit në Kamëz kur nisi të kërcejë tallava, Meta tha se “përveçse kopjon, nuk më habit aspak sikur të dalë edhe nudo të kërcejë vetëm e vetëm që të shmangë vëmendjen nga qytetarët shqiptarë për atë që ata do të votojnë në 14 maj”.

 

“Në tre javë Shqipëria do jetë krejt ndryshe nga sot”, Meta: Gjeografia e ndryshimit gjithëpërfshirëse. Qytetarët janë të tejlodhur nga abuzimi i tmerrshëm

 

Gjatë fjalës së tij Meta theksoi se fitorja e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ do të jetë gjithëpërfshirëse. Ai tha se Primaret kanë funksionuar dhe kanë përzgjedhur në mënyrë demokratike kandidatët që përfaqësojnë opozitën.

 

“Në tre javë Shqipëria do të jetë krejt ndryshe nga sot. Regjimi monist në nivelin vendor do të jetë asgjësuar përfundimisht përmes pjesëmarrjes masive të qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit ku do të rivendoset pluralizmi politik dhe llogaridhënia ne nivel vendor njëherë e përgjithmonë.

Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për turin në jug të vendit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që gjeta atje për kandidatët e koalicionit tonë sidomos në Sarandë për Ardit Cikulin, për zotin Fatmir Shero në Konispol dhe për inxhinier Ilir Mehmetin në Delvinë.

Gjeografia e ndryshimit do të jetë gjithëpërfshirëse nga Kukësi, Tropoja në Sarandë deri në Konispol.

Vura re me kënaqësi se primaret kanë funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe apo jo rastësisht kanë përzgjedhur në mënyrë më demokratike të mundshme kandidatët. Qytetarët janë të tejlodhur nga abuzimi i tmerrshëm që ka ndodhur këto 4 vite”, deklaroi Meta.