Rusia ka sulmuar me mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe raketa balistike kryeqytetin ukrainas Kievin dhe 3 rajonet Mykolaiv, Odesa dhe Cherkasy.

Në një deklaratë me shkrim nga Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës thuhet se Rusia gjatë natës sulmoi Ukrainën me 2 raketa balistike "Iskander-M" dhe 16 dronë të llojit "Shahed".

Në deklaratë vihet në dukje se forcat ajrore ukrainase rrëzuan 15 dronë në Kiev, Mykolaiv, Odesa dhe Cherkasy.

Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Sergey Popko në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se dronët në Kiev u lëshuan nga rajoni Kursk i Rusisë. "Dronët hynë nga pjesa jugperëndimore në Kiev duke kaluar nga rajonet Sumy, Cherkasy. Të gjithë objektivat e armikut u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore", tha Popko.

Ai theksoi se nuk ka të plagosur dhe se nuk janë shënuar dëme si pasojë e sulmit ndaj kryeqytetit.

Kreu i administratës ushtarake të rajonit Odesa, Oleg Kiper në një postim nga llogaria e tij në median sociale tha se në sulmin që ushtria ruse kreu me dronë ndaj Odesës janë dëmtuar shtëpitë dhe se janë plagosur 7 persona, përfshirë 2 fëmijë./aa