Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u prit sot në një takim në Zagreb, Kroaci, nga presidenti Zoran Milanović.
Në një postim në rrjetet sociale, Hasani ndau momente nga takimi me presidentin Milanović.
Hasani tha se “gjatë takimit diskutuam për dialogun politik mes vendeve tona, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për çështjet rajonale dhe globale”.
“Mes dinamikës gjeopolitike, shprehëm përpjekjet tona të përbashkëta për siguri dhe stabilitet në rajon, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirjes”, theksoi Hasani.
Ministri Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci. Ditën e sotme Hasani u takua me kryeministrin Andrej Plenković, të cili i shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Më pas Hasani u prit në një takim nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grlić Radman, me të cilin zhvilloi edhe një konferencë për shtyp, ku deklaroi se “Shqipëria dhe Kroacia do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin dypalësh, në frymën e partneritetit strategjik edhe me qeverinë e re në Zagreb”./ata