Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot në një deklaratë për mediet se akuzat ndaj Berishës janë politike me qëllim asgjësimin e opozitës.
Meta komentoi vendimin e djeshëm të SPAK për ta marrë të pandehur Berishën, ndërsa ky i fundit u paraqit për t’u njohur me akuzën në lidhje me dosjen “Partizani”.
Sipas Ilir Metës, Sali Berisha merret i pandehur pa asnjë provë dhe fakt, ndërsa thekson se kjo është poshtërim dhe tradhti që i bëhet Shqipërisë.
“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit për të marrë të pandehur pa prova, fakte dhe pa dokumente liderin historik të PD, profesor doktor Sali Berishën nuk është gjë tjetër veçse një akuzë politike e diktuar nga Edi Rama në funksion të axhendës së tij elektorale me qëllim asgjësimin me cdo mjet të opozitës dhe të pluralizimit politik”, u shpreh Meta.
Ky vendim, sipas tij, nuk ka asnjë bazë ligjore.
“Vendimi ndaj Sali Berishës në vitin elektoral përfshirë izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit të tij si lider i Partisë Demokratike dhe si deputet, është dëshmi e qartë se SPAK nën drejtimin e Dumanit është shndërruar në një “vrasës me pagesë” më i egër dhe më i padenjë se vetë Nuredini, duke u vënë totalisht në shërbim të zgjatjes së jetës së narkoshtetit dhe mbrojtjes me çdo mjet të korrupsionit skizofrenik”, përfundoi Meta./ata