Kryeministri Edi Rama solli sot shembull konkret të rritjes së pagave të arsimtarëve, në kuadër të reformës së pagave.

 

Rama solli në vëmendje rastin e Habibe Çaçës, nëndrejtoreshë shkolle, arsim i mesëm i ulët, paga e re e së cilës në maj 2023 shkon në 86 502 lekë, ndërsa në vitin 2024 do të shkojë në 99 042 lekë. Ky nivel pagash përfshin elementë si pozicioni, nivel arsimor, vjetërsia dhe kualifikimi.

 

Rama theksoi se, “pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona”.

 

Kryeministri theksoi se, pagat e reja janë frut i rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale.

 

“Ato janë frut i lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shtoi ai.