Vjen edicioni i 3-të i Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Lajmi bëhet me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja.

“”Po vijnë, po vijnë, po vijnë!

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja!”, shprehet Gonxhja në rrjetet sociale.

Sipas tij, Shqipëria është gati të mikpresë botën duke promovuar kulturën unike të secilit vend dhe duke u përpjekur të krijojë ura lidhëse që përçojnë vlerat dhe traditat më të mira që bota ofron.

Ai fton qytetarët të bëhen pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në datën 1 maj, ora 20:00, në sheshin “Skënderbej”.

Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore./ata