Faik Basha shpalli sot kandidimin e tij për President të Partisë së Lirisë, në Konventën Kombëtare të datës 27 prill. Përballë tij do të jetë Ilir Meta, kryetari aktual i Partisë së Lirisë.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Basha ka njoftuar dhe sloganin e tij: “Guxo për Shqipërinë”

Faik Nezir Basha mban aktualisht funksionet si anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë dhe kryetar i Partisë së Lirisë në bashkinë e Kamzës. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2009, pranë Universitetit Ushtarak “Skenderbej”.

Për 6 vite (2009-2015) ka kryer detyra të ndryshme në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbajtur disa detyra të larta si specialist i Mjeteve të Transportit, Tankeve dhe TRBL, shef i Zyrës së Informacionit në Brigadën Logjistike dhe Komandant i Kompanisë së Ruajtjes dhe Sigurisë në Batalionin e Xhenios.

Në viti 2020 iu bashkua “Lëvizjes Socialiste për Integrim”, sot Partia e Lirisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ishte kandidat për deputet në qarkun e Tiranës dhe në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore më 14 Maj 2023, u zgjodh këshilltar i Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak Kamzë.

Basha sqaroi edhe pse hyn në garë.

“Unë besoj tek Partia e Lirisë, pasi kjo forcë politike është angazhuar ndër vite dhe vijon të investojë tek rinia, që janë e ardhmja e vendit tonë dhe intelektualët e ndershëm, të cilët do të rimëkëmbin vendin”, u shpreh ai.

Meta reagoi në prononcim për mediet për kandidaturën e Faik Bashës duke e përshëndetur për “shpirtin e garës”.

“E përshëndes për shpirtin e garës, shpirtin e garës e kemi të lindur. Sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi. Do të fitojmë pa doping”- tha Meta./ata