Ditën e sotme grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Sipas Partisë Demokratike mandati i deputetes Xhaçka është në konflikt të interesit me statusin e investitorit strategjik të bashkëshortit.

Kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi në një komunikim me mediet, pasi depozitoi padinë e Partisë Demokratike, tha se kërkesa është firmosur nga 44 deputetë, ndërsa Basha nuk e ka firmosur.

“Bashkë me kolegët e grupit parlamentar jemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën e 44 deputetëve të opozitës kundër vendimit politik të Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Olta Xhaçkës. Për herë të parë Kuvendi ka shpallur veten sovran. Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me 1/10 e për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë. Ka të bëjë me autoritetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

“Nuk ka ndodhur kurrë që me vendim politikë të hidhen në kosh vendimet e Kushtetueses. Është në dinjitetin e kësaj gjykate, që trupa gjyqësore të mblidhet sa më shpejt për të  vendosur në vend, dinjitetin e përdhosur”, tha Bardhi.

Bardhi tha se Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka firmosur padinë.

“Basha nuk ka pranuar të firmosë edhe mocionin e 1/10 të deputetëve që në nisje të kësaj procedure. Pyeteni Bashën për arsyen dhe se kush janë bashkëpunëtorët e tij, që kanë miqësi me Olta Xhaçkën dhe i kanë ndërhyrë Bashës për të penguar mocionin kundër Olta Xhaçkës”, tha Bardhi./ata