Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në “Metropolis”, emisionin e televizionit online të gazetës “La Repubblica”, se nuk e kishte telefonuar drejtorin e RAI 3 për të censuruar ndokënd, por për t’i thënë se na keni censuruar dhe sulmuar, sepse nuk jemi përfshirë në programin tuaj.

“Nëse do të kisha telefonuar drejtorin e RAI 3 për t’i thënë ‘keni bërë një emision të neveritshëm’, do të kishit të drejtë. Por unë e kam thënë publikisht, dhe kam faktet në dorë. E mora në telefon për t’i thënë: Drejtor dua të dini që në shërbimin publik që drejtoni ka ndodhur diçka për të cilën më duket e nevojshme që duhet menduar, sepse nuk na është dhënë e drejta për t’u përgjigjur, por që i është thënë publikut të programit tuaj, që nuk është vetëm italian, por edhe shqiptar, që ne, pala e dëmtuar, nuk jemi përgjigjur. Dhe se ata kanë këmbëngulur, dhe ne nuk kemi dashur të përgjigjemi. Dhe pastaj ky gazetar që ka thënë këtë gënjeshtër në sy të të gjithëve, në një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Itali, del në një tjetër ekran këtu në Tiranë të nesërmen, dhe thotë të njëjtat gjëra, duke gënjyer në mënyrë flagrante, duke gënjyer jo për t’u justifikuar, por për të sulmuar. Unë nuk kam thënë që keni baltosur familjen time”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama tha se dokumentari në RAI3 nuk ishte liri shtypi, por shtypje e lirisë dhe e të drejtave.

“Jo vetëm jemi censuruar, sepse unë nuk e kam telefonuar drejtorin për të censuruar ndokënd, as për t’i thënë pse na keni censuruar, por për t’i thënë: Na keni censuruar e sulmuar, sepse nuk jemi përfshirë në programin tuaj. Ky është kulmi, kjo nuk është liri shtypi, kjo është shtypje e lirisë dhe e të drejtave”, tha Rama.

Rama mohoi edhe se marrëveshja për refugjatët ishte bërë për të ndihmuar kryeministren italiane apo partinë e saj.

“Nëse do t’i referoheni konferencës së shtypit të mbajtur me Melonin, kur kemi firmosur marrëveshjen, kam thënë që kjo marrëveshje nuk do të zgjidhë këtë problem që është gjigant, por është një akt vullnetmirë nga ana e Shqipërisë për të dhënë një dorë. Dëgjoni, nëse mund t’ua them si një njeri që e do Italinë, një ndjekës besnik i të gjitha atyre që ndodhin aty, nëse mund të them. Shoh një problem të shëndetit të mendimit në Itali, sepse gjithmonë ndodh o je me një anë, o me një tjetër dhe pastaj vazhdo e qëllo. Pse duhet ta bëja këtë marrëveshje për një person, madje edhe për një parti që nuk kam lidhje me të“, tha Rama./ata