Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye, ku ka prova për këdo qoftë që nga njëra anë është rreshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët, dhe nga ana tjetër e shfrytëzon pozicionin e tij në atë post për punën e përveçme dhe krejt të paamnistueshme të përfitimit të paligjshëm, të godasë dhe të mos pyesë as majtas, as djathtas, as lart, as poshtë, por vetëm drejt”.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “në fund të ditës kjo është gjëja që kam dashur, për këtë gjë kam luftuar, kjo është gjëja që kemi bërë reformën në drejtësi, kjo është gjëja që kemi kërkuar”.

“Lufta jonë kundër korrupsionit nuk ka filluar me SPAK-un, ne kemi bërë shumë gjëra për t’i ngushtuar hapësirat korrupsionit, mjafton të mendosh se sa shumë, jo mijëra, as qindra-mijëra, miliona kontakte deri dje të detyruara mes një individi dhe shtetit për një certifikatë për leje, patentë, prodhonin korrupsion dhe sot bëhen pa pasur asnjë kontakt dhe mjafton vetëm ekrani dhe celulari dhe plot të tjera”.

Por, vijoi Rama, na ka munguar në këtë luftë krahu i armatosur që është Prokuroria Speciale dhe Gjykatat Speciale, sepse shumë njerëz mund të mendojnë që kur një drejtor kapet në shkelje të ligjit apo identifikohet si person që ka futur duart në arkën e shtetit, apo në xhepin e popullit, po kapet një i joni.

“Jo, nuk kapet një i joni, kapet dikush që me ne nuk mund të ketë asnjë lidhje. Dhe për mua nuk është një ditë e keqe, është një dorë e mirë kur kjo ndodh si kryeministër. Është një hap përpara, se ne kemi bërë shumë gjëra për ta ngushtuar hapësirën e korrupsionit,
që ka një problem me drejtues institucionesh me përgjegjës sektorësh jo të gjithë, pjesa më e madhe janë në rregull, mendoj unë, besoj unë, shpresoj unë”, nënvizoi Rama, duke shtuar se këtë e ka thënë e stërthënë vetë publikisht, në sa e sa takime ka bërë për këtë punë, e sa e sa përsëritje.

Kur SPAK, vijoi Rama, vepron dhe tipa tilla të ekspozohen përpara publikut dhe përballen me dritën e ligjit, është lajm i mirë, dhe është meritë e PS që i hyri detit në këmbë për këtë punë.

“Po të donim të kontrollonim drejtësinë nuk e reformonim drejtësinë. Ti mund të kontrollosh një drejtësi të kapur, një drejtësi njerëzish të korruptuar, një drejtësi që ishte si ajo deri djeshme ku pakti ishte shumë i qartë bëni çfarë të doni me popullin me pronat, shisni e blini drejtësinë, mos na prekni ne. Po të donim të mbanin drejtësinë e kapur dhe po të doja unë të kapja drejtësinë nuk do të pranoja që në krye të SPAK të ishte një njeri i ndershëm. Apo një tjetër njeri i ndershëm, njerëz të ndershëm, minimumi jetik. Mund të thuash çfarë të duash, por nuk mund të thuash janë të pandershëm. Si do kapet? Do kapet me çfarë? Nuk kapet dot në këto kushte, aq me tepër që nuk ka asnjë pendesë, asnjë reflektim nga ana jonë”, theksoi Rama.

Përkundrazi, tha Rama, të gjitha të metat, boshllëqet janë normale, se është proces.

“E vetmja gjë që kam kërkuar që raporti me njerëzit duhet të jetë korrekt, me institucionet duhet të jetë korrekt, proceset hetimore të zhvillohen korrekt, ama me njerëzit e shtetit, në zyrat e shtetit duhet korrektesë maksimale dhe çdo njeri nuk duhet të trajtohet si fajtor duhet të trajtohet si një person që është i nevojshëm për një proces. Ky ka qenë i vetmi dhe është i vetmi shqetësim i imi në raport me qëndrueshmërinë dhe integritetin e procesit si proces që respekton të drejtën minimale të çdo njeriu”, theksoi Rama.

Duke u ndalur edhe tek kërkesa e SPAK për Arben Ahmetajn, Rama u shpreh se “kur na vjen  në parlament një kërkesë, siç na erdhi, kemi të drejtë të themi mendimin tonë. Nëse nuk do e gjenim të arsyeshme, do të thonim fjalën tonë, atje në parlament, se na detyron Kushtetuta. SPAK ka të gjithë mbështetjen tonë absolute pa kushte”./ata