Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë televizive për “Metropolis”, emisionin e televizionit online të gazetës “La Repubblica”, lidhur me dokumentarin e publikuar ditë më parë nga emisioni “Report” i televizionit italian RAI 3, se “gazetari ka gënjyer hapur e në mënyrë flagrante, duke i thënë publikut që nuk i kishte marrë përgjigjet, ndërkohë që i kishte marrë përgjigjet e Sekretarit të Përgjithshëm të  Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçit dhe nuk i kishte përdorur”.

Rama tha se “kërkova kontaktin e një drejtori të shërbimit publik në Itali. Ia kërkova një sërë miqve në Itali dhe njëri më dërgoi kontaktin. Fakti është se drejtorin e Rai3 e mora në telefon jo për t’u ankuar, ka kaq shumë për t’u ankuar në këtë emision, por nuk ishte ky qëllimi im”.

“Kërkova t’i flas për t’i ekspozuar diçka shumë të rëndë, sipas meje, që është fakti që në këtë emision i është thënë publikut, që është kërkuar më shumë se një herë versioni i viktimës së këtij sulmi balte që është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave që është Engjëll Agaçi. Ky version nuk mbërriti kurrë. Të nesërmen, ky gazetar u shfaq në një televizion shqiptar për të konfirmuar të njëjtën gjë, madje edhe për të shfaqur zemërimin që kjo është diçka që nuk duhet bërë, se publiku meriton të dëgjojë edhe ata që janë në qeveri”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e vërteta është krejt ndryshe, siç është konfirmuar më pas edhe nga drejtuesi i programit, jo vetëm gazetari ka gënjyer hapur e në mënyrë flagrante duke i thënë publikut që nuk i kishte marrë përgjigjet, ndërkohë që i kishte marrë përgjigjet, dhe përgjigjet e Agaçit nuk i kishte përdorur. Jetojmë në një kohë në një botë ku varianti i tjetrit nuk është më një rregull që duhet zbatuar, por gënjeu tha që nuk kishte marrë përgjigje, përgjigjet i janë dërguar me shkrim, siç i janë dërguar pyetjet, nga vetë Agaçi”.

Më tej Rama tha se “po them diçka tjetër, çfarë do të thotë kjo histori për të vënë në sy të publikut dikë që në jetën e vet ka bërë avokatin penalist, Agaçin, pasi ka mbërritur në Itali me ëndrrat e veta dhe duke derdhur djersë për të marrë diplomë dhe pastaj hyri në praktikën e avokatit penalist”.

“Më rezulton që avokatët penalistë nuk jetojnë duke mbrojtur as shenjtë, as engjëj, mbrojnë edhe persona që mund të jenë edhe kriminelë. Çfarë do të thotë? Si mund të thuhet ‘avokati i trafikantëve’?! Çfarë hyn kjo, ku hyn kjo? François Miterrand ka qenë avokat penalist, ka mbrojtur shumë njerëz, por askush nuk i ka thënë ka qenë avokat trafikantësh”./ata