Për të disatën herë me radhë Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Në seancën plenare të Kuvendit duhet të Kosovës, duhet të ishin të pranishëm dy e treta apo 80 nga 120 deputetë të Kuvendit, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por ky numër nuk u arrit nga deputetët as ditën e sotme për shkak të mungesës së deputetëve nga opozita.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u kërkoi deputetëve të opozitës që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare duke thënë se janë 300 milionë euro që janë bllokuar me bojkotin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë votuar që një kohë fillimisht nga tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e më pas dy të fundit ishin shprehur se do të votonin, ndërsa PDK-ja ka vazhduar ta bojkotojë votimin e tyre.
Deputetët e LDK-së, para se të fillonte trajtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në seancë, e ka lëshuar sallën. Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se deputetët e partisë së tij nuk mund të qëndrojnë në sallë kur prezentë nuk janë as të gjithë deputetët e shumicës parlamentare.
Megjithatë, deputetët e pranishëm të shumicës parlamentare po vazhdojnë me prezantimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat deri tash nuk janë prezantuar në Kuvend nga kabineti qeveritar.
Në mesin e marrëveshjeve që nuk u miratuan sot ishte edhe ajo për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze në burgjet në Kosovë.
Gjatë ditës së sotme, përpos Danimarkës, një ide e njëjtë për shfrytëzimin e burgjeve në Kosovë për të transferuar të burgosur nga jashtë është ngritur edhe në Belgjikë.
Deputeti belg Theo Francken nga partia "N-VA" në një intervistë për media belge tha se kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit në Belgjikë, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.
Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të "N-VA" duke u parë kjo si edhe si "zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve".
Kosova pas ratifikimit të marrëveshjes me Danimarkën pritet t'i marrë 210 milionë euro gjatë 10 vjetëve për të akomoduar rreth 300 të burgosur që janë kapur duke qëndruar ilegalisht në shtetin nordik./aa