Kryetarja e Lëvizjes Qytetare Europiane në Maqedoninë e Veriut, Gjyla Çeliku, në një lidhje me Skype në rubrikën Opinion në News24 deklaroi se është gruaja e parë në RMV që drejton një parti politike. Ajo komentoi se çfarë pret nga zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Çeliku theksoi se partia që drejton ka moto të saj “stop korrupsionin”, duke qenë se korrupsioni është tepër i përhapur në Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, shqiptarët në RMV vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe pa të drejta.
Ajo zbuloi se pjesë e planit të partisë janë edhe kushtet e të burgosurve në Maqedoninë e Veriut si dhe fakti që në burgje mos të ketë njerëz të pafajshëm.
Gjyla Çeliku: Ne kemi fushatë të thjeshtë dhe dalim në terren. Jam gruaja e parë shqiptare në RMV që drejtoj një parti. Motoja e fushatës është “voto kundër korrupsionit”. Ne e kemi luftuar dhe do të luftojmë korrupsionin. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut diskriminohen vazhdimisht. Duhet të hiqet 20 përqindëshi, ne nuk jemi 20 përqind, nuk jemi përqindje këtu, shqipja nuk është e zyrtarizuar.
Ne nuk jemi shtetformues në Kushtetutë. Burgjet në Maqedoninë e Veriut janë të mbushur plot me të burgosur të pafajshëm. Kemi prioritet edhe luftën kundër RVN, që është kompani e energjisë, që po “rrjep “ shqiptarët. Kemi prioritet edhe ekonominë dhe arsimin cilësor./BalkanWeb