Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, i cili tha se po mendon të japë dorëheqjen, ndërsa bashkëshortja e tij po përballet me një hetim gjyqësor pas akuzave për korrupsion.

Në një mesazh drejtuar Sánchez përmes rrjeteve sociale, Rama u shpreh se “është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë të punoj me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet te të cilat besojmë dhe për të cilat luftojmë”.

“Të pasurit ju si liderin e Lëvizjes tonë Socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjen tonë nga një njeri i mençur dhe me integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen në këto kohë, kur qëndresa është më e nevojshme se kurrë kundër gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj krah jush”, vijon mesazhi i Ramës.

“Arritja juaj në krye të qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të papërkulshëm për dialog që keni realizuar për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën. Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos hiq dorë, kurrë mos u dorëzo, kurrë mos dysho që e vërteta do të triumfojë, miku im i dashur”, shkruan Rama./ata