Gjykata Kushtetuese ka pranuar në dhomë këshillimi padinë e PD për taksimin e profesioneve të lira. Kështu sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, u vendos “kalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave.”

Trupa e Kushtetueses kërkoi po ashtu që grupi i PD-së të paraqesë argumente shtesë, nëse kanë brenda datës 21 maj.

“Për zhvillimin sa më të plotë të këtij gjykimi, Gjykata Kushtetuese e çmon të nevojshme vënien në dispozicion, brenda datës 21.05.2024, të parashtrimeve me shkrim, nëse keni argumente shtesë për kërkesën e paraqitur. Parashtrimet, si dhe çdo dokument/material të paraqitet në aq kopje sa janë palët”, thuhet në njoftim.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi më 27 shkurt një padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkoi shfuqizimin e dy neneve që lidhen me taksimin progresiv të profesioneve të lira, parashikuar në ligjin “Për tatimin  mbi të ardhurat”.

Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila depozitoi padinë në Gjykatën Kushtetuese, tatimi mbi profesionet e lira është i padrejtë dhe se prek shtresën e mesme të popullsisë./ata