Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli priti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Finlandës, kryesuar nga Kimmo Kiljunen.

Gjatë takimit, Kodheli shprehu kënaqësinë që Finlanda është pjesë e Aleancës së NATO-s duke vlerësuar dërgimin e trupave finlandeze në misionin KFOR në Kosovë.

Sipas saj, kjo është një shenjë që tregon angazhimin e tyre në Ballkan dhe po ashtu rikonfirmon edhe një herë mbështetjen për të gjithë rajonin tonë por në veçanti të Shqipërisë.

Kryetarja Kodheli vlerësoi qëndrimin e balancuar të Finlandës në politikën e jashtme, ndërsa nënvizoi se rritja e nivelit të shkëmbimeve politike, parlamentare por edhe në fusha të tjera do të jetë në dobi të dy vendeve tona.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në tema të tjera si dezinformimi, rëndësia e investimeve strategjike, siguria si dhe shkëmbyen mendime mbi situatën aktuale në rajon.

Delegacioni është duke vizituar Shqipërinë në vijim të turit të tyre ballkanik, pasi më herët kanë vizituar Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut./ata