Në 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë rreth 400 shqiptarë në një nga masakrat më të rënda gjatë luftës në Kosovë.
Shumica e trupave të të vrarëve u gjetën në varreza masive ku ishin dërguar nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Në mesin e të vrarërve ishte edhe Blerim Maloku. E bija, Majlinda, në atë kohë ishte vetëm 2 vjeçe.
“Nuk e di as si ta shpjegoj, është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Krejt fazat e jetës t’i kalosh pa njeriun më të afërt të zemrës është shumë e vështirë, është tepër e vështirë”, thotë Majlinda.
Por sot e kësaj dite disa varreza në fshatin Mejë vazhdojnë të mbesin bosh dhe shumë familje ende nuk dinë asgjë për fatin e familjarëve të tyre. Çdo vit, me 27 prill, në këtë fshat mbahet tubim përkujtimor në nderim të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe.
“Ne kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë për të na i gjetur ata që ende na mungojnë sepse ne e dimë rrugëtimin e tyre, por nuk e dimë vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre se ku janë”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve në Kosovë.
Familjarët presin ndriçimin e fatit të të afërmëve dhe vënien në vend të drejtësisë.
“Është lehtësim kur e din që dikush ka marrë përgjegjësi për këto krime që janë kryer, por kanë kaluar 25 vjet dhe ende nuk ka asgjë. Ju bëj thirrje që të zbardhet tërësisht ky rast dhe mos të qëndrojmë çdo herë me zemër të ndrydhur, shumë është vështirë”, thotë Majlinda.
25 vjet pas luftës, vetëm 74 persona janë dënuar nga gjykatat vendëse e ndërkombëtare nën akuzat për krime lufte dhe veprimtarët humanitarë thonë se drejtësia duket ende e largët.
Udhëheqësit e Kosovës shprehën sot, siç thanë, vendosmërinë e palëkundur për mbrojtjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, ndërsa theksuan mosbashkëpunimin nga Serbia si sfidën kryesore në këtë proces.
“Ky vend është edhe thirrja jonë më e fuqishme për drejtësi. Është personifikim i rrugës së vështirë dhe sakrificës nëpër të cilën kemi kaluar si popull, por edhe i përkushtimit të vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën dhe për ta vendosur drejtësinë. Teksa reflektojmë mbi këtë tragjedi të së kaluarës duhet ta sjellim në vëmendje vendosmërinë e palëkundur për drejtësi sepse vetëm kështu paqja është e mundshme”, tha presidentja Osmani.
“Trashëgimtarët e (Slobodan) Millosheviçit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë e sot politikanë e drejtues të shtetit serb, refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare”, tha kryeministri Albin Kurti.
Ndonëse në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të tyre, zotimet e kësaj deklarate mbesin ende të papërmbushura.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth një mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare./ VOA