Gjykata italiane në Vercelli ka dënuar me 8 vite e 5 muaj burg si dhe 2700 euro gjobë një 22-vjeçar shqiptar, anëtar i një bande grabitësish në Itali.

 

 

Briland Thani akuzohet për grabitje, armëmbajtje pa leje, posedim të sendeve të vjedhura dhe lëndime të rënda personale.

 

 

Sipas akuzave, ai kishte qenë anëtar i bandës që kishte kryer grabitje në disa raste mes Lombardisë dhe Piemontes. Drejtues i bandës ishte Kristjan Mëhilli, i dënuar dhe i burgosur. Në natën e Vitit të Ri vitin e kaluar ai ishte arratisur, por disa muaj më vonë u arrestua në Holandë. Trupi gjykues i kryesuar nga Enrica Bertolotto, me Luca dell’Osta dhe Mariaelena Crivelli mori një vendim edhe më të rëndë se kërkesa e prokurorit që kishte kërkuar ulje dënimi dhe gjobë për Briland Thanin.

 

 

Jo vetëm kaq, gjyqtarët kanë referuar dokumentet në prokurori ndaj disa bashkëpunëtorëve të të akuzuarit, për akuzën e dëshmisë së rreme. Përveç Kristjan Mëhillit, u arrestuan dhe u dënuan edhe Çesk Thani, Augustin Pjetërgjokaj dhe Kristjan Keçi.

 

Por grupi vepronte me pesë persona për disa goditje, si për shembull me rastin e grabitjes së kryer në Cella Monte ndaj sipërmarrësit të verërave Riccardo Coppo dhe një tjetër grabitje në Moretta. Asnjë nga anëtarët e bandës nuk tha se kush ishte anëtari i pestë. Por sipas prokurorisë së Vercellit dhe gjyqtarëve të shkallës së parë ka qenë Briland Thani. Hetimet arritën tek ai falë tabulateve telefonike.