Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (ONVV), që krijon mundësi bashkëpunimi dhe hapësira të shumta për prodhuesit shqiptarë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, “Shqipëria është vendi i 50-të që i bashkohet kësaj organizate, e cila këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit”.
Denaj u shpreh, nëpërmjet miratimit të këtij projektligji, një fokus të veçantë merr harmonizimi me praktikat ndërkombëtare, minimizimi i barrierave tregtare dhe mbrojtja e konsumatorëve, si dhe do të përfitojmë nga një rrjet prej rreth 1000 ekspertësh.
“Miratimi i këtij projektligji është në përputhje me programin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare”, theksoi Denaj.
Vera po fiton terren kur bëhet fjalë për menutë e eksportit agroushqimor të Shqipërisë.
Rritja e prodhimit është nxitur nga shitjet e verës, një prirje që duket se do të çlirojë potencialin në zhvillim të sektorit.
Në këtë konteks, ndërtimi dhe promovimi i sektorit të vreshtarisë dhe verërave është pjesë e nismës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që synon të diversifikojë eksportet e verës në tregjet jotradicionale.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është në bashkëpunim të ngushtë me fermerët që kultivojnë vreshta dhe prodhuesit e verës, për fuqizimin e këtij sektori, që për shijen, autenticitetin e verës që prodhon, hyn tek produktet e ekselencës shqiptare./ata