Policia e Tiranës pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi ka ndihmuar 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Komisariatin e Policisë Nr. 1, grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Federatën Shqiptare të Alpinizmit, që bënë të mundur shpëtimin e turistëve britanikë.

“Pas gati 5 orësh kërkime, deri pas mesnatës kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e pesë turistëve, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore”, theksoi Balla.

Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre.

Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë./ata