Me ftesë të Organizatës Botërore të Doganave (OBD/WCO), drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, po merr pjesë në konferencën rajonale të drejtorëve të Doganave që po zhvillohet pranë selisë së OBD-së në Bruksel.

Sekretari i ri i përgjithshëm i OBD-së, Ian Saunders, prezantoi draftplanin e modernizimit të organizatës, që parashikon forcimin e dimensionit rajonal të saj, nëpërmjet zhvillimit të kuadrit për entitetet rajonale dhe formalizimit të qasjes për strukturat rajonale dhe organet e njohura të OBD-së.

Plani i modernizimit të OBD-së mbështetet në indikatorë të matshëm dhe konkretë që i përgjigjen sfidave të administratave doganore në drejtim të lehtësimit të tregtisë së ligjshme, mbledhjes së të ardhurave, parimit të mbrojtjes së shoqërisë dhe interesave financiare të vendit, si dhe zhvillimin institucional.

Anëtarët e rajonit të OBD-Europe të drejtuar nga Norvegjia, diskutuan progresin e bërë në zhvillimin e planit dhe dhanë mbështetjen dhe udhëzimet e tyre për përmirësimet e bashkëpunimit në dimensionin rajonal të OBD-së./ata