Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në muajin maj do të hapet gara ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës, i cili do t’i shërbejë të gjithë zonës së jugut.
Në një aktivitet të zgjeruar mbi turizmin, Kryeministri u ndal në projektet infrastrukturore që do t’i japin tjetër frymëmarrje qarkullimit.
“Duhet jo vetëm të krijosh rrugët për të shkuar, por të krijosh dhe mundësinë që ato rrugë të jenë të sigurta. Është një ngarkesë shumë e madhe fluksi i mesazheve dhe i shfryrjeve, që janë plotësisht të mirëkuptuara, të atyre që kalojnë drejt Fushë-Krujës për të ardhur në pjesën më poshtë, pasi në korrik-gusht dhe në vijim nuk do kalojnë më andej nga kalonin zakonisht, por do të kenë të hapur segmentin Thumanë-Kashar me standarde totalisht të tjera, si pjesë e Korridorit Blu”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se do të vazhdojë me segmente të tjera autostrada Adriatiko-Joniane, që është projekti më i madh i qeverisë në infrastrukturë dhe na fut në unazën mesdhetare të turizmit.
“Është shumë kënaqësi që të hapim tunelin e Llogorasë, i cili do mundësojë një akses shumë më të shpejtë dhe të sigurt. Rruga e re me tunelin ka një akses në pamje të cilat ishin të panjohura për ne më parë dhe që janë realisht spektakolare për këdo që do të kalojë andej”, tha ai./ata