Komisioni hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS u mblodh sot për të shqyrtuar përgjigjet e kërkesave për informacion.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i këtij komisioni Ervin Salianji tha se 3 institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

“Në tejkalim të afateve, është depozituar në protokoll Autoriteti Kombëtar për Informacionin e Klasifikuar dhe AMP. Nuk ka marrë mundimin të përgjigjet Kryeministria, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Tiranës”, tha ai.

Nënkryetari Toni Gogu replikoi me Ervin Salianjin, teksa ky i fundit tha se Kryeministria nuk kishte kthyer përgjigje për kërkesën për informacion.

“Ju siguroj që kryeministri Rama ka një traditë në komisionet hetimore, ndryshe nga ju që i injoronit. Rrini të qetë se kryeministri do t’ju përgjigjet. E di që ju nuk rrini dot pa një kartolinë nga ai. Në mos ka mbërritur, është duke mbërritur përgjigjja. Komisioni ka tjetër qëllim, ne hetojmë me ndihmën e ekspertëve”, deklaroi nënkryetari i komisionit, Toni Gogu./ata